Rama në familjen e policit të vrarë

01/02/2013 17:55

Ish-punonjësi i policisë, Shkëlzen Dobrusha, ra në krye të detyrës së bashku me kolegun e tij Ramadan Hila, më 24 mars 2009 në fshatin Shën Mëri.

Gjatë vizitës në familjen e Shkëlzenit në Kukës, të afërmit i treguan kreut të opozitës Edi Rama se institucionet e shtetit nuk kanë pranuar t’i japin atij statusin e dëshmorit të atdheut, megjithëse u vra në shërbim të shtetit.

Familjarët pohuan se janë detyruar të hapin  një çështje gjyqësore për të drejtën e munguar, të cilën e ka fituar në shkallën e parë, por që Ministria e Mbrojtjes, prej nga varet edhe komisioni që jep këtë status, e ka dërguar çështjen ne Gjykatën e Apelit, duke krijuar një tjetër zvarritje.

“I kam bërë telegram Sali Berishës që të më sqarojë pa më çuar në gjykatë, por s’kam marrë asnjë lloj përgjigjeje. Kam bërë kërkesë tek Arben Imami, të cilit unë i kërkoj vetëm statusin, nuk dua asnjë qindarkë, por të drejtat që i takojnë”, tha e veja e policit të ndjerë.

Kryesocialisti Rama u shpreh se është i skandalizuar nga kjo situatë, duke premtuar se PS, me të ardhur në pushtet, të gjithë policët e rënë në krye të detyrës do t’i trajtojë njësoj.

“Mos dyshoni asnjë moment që pas 23 qershorit ai do të jetë dëshmor. Por nuk është vetëm kjo. Ne do të bëjmë ndryshimin, do sjellim angazhimin e shtetit për të gjetur strehim dhe punësim për familjarët e policëve të vrarë. Nëse shteti s’u zëvendëson dot babain fëmijëve, të paktën të mos lejojë që ai boshllëk të plotësohet nga situata dramatike”, deklaroi Rama.

Kjo vizitë e Edi Ramës u zhvillua në kuadër javës së rendit dhe sigurisë publike, si pjesë e diskutimit dhe prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare, ku përfshihen edhe policët e rënë në krye të detyrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA