Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestuan në Bujanoc dhe kërkuan heqjen e lapidarit të dedikuar policëve dhe ushtarëve serb në fshatin Lluçan të këtij qyteti.

Ndërkohë, komuna e Preshevës bëri kërkesë për legalizimin e lapidarit në qendër të qytetit që u hoq nga forcat policore serbe. Liderët shqiptarë thanë se Serbia duhet ta kuptojë që shqiptarët janë popull autokton në këto zona.

“Serbia duhet të pranojë luftën e shqiptarëve për liri dhe barazi, për dinjitet njerëzor dhe kombëtar. Më tutje, ne kërkojmë që të gjithë dëshmorët të trajtohen njësoj. Ne jemi autoktonë në këto toka dhe që këtu nuk mund të na lëvizë askush”, deklaroi Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvedin e Serbisë.

Qytetarët, nga ana e tyre thonë se nuk mund të ketë standarde të dyfishta në mënyrën se si trajtohen dëshmorët.  “Kjo është një çështje e vështirë, por ky lapidar duhet të largohet pasi kjo është tokë shqiptare. Ndryshe të kthehet edhe lapidari ynë në Preshevë”, u shpreh njëri prej banorëve.

Lapidari serb në fshatin Lluçan është i mbuluar dhe forcat policore e kanë bërë të ndaluar këtë zonë dhe ende askush nuk e ka parë atë.

Top Channel