Operacioni “Antika”, sekuestrohen vepra arti

01/02/2013 00:00

Një sasi e konsiderueshme e veprave të artit dhe kulturës historike
shqiptare është sekuestruar nga policia e Durrësit në vijim të
operacionit “Antika” që nisi një ditë më parë në Kakavijë me arrestimin e
24-vjeçarit Edjon Abazi.

Blutë e Durrësit kanë ushtruar kontroll në banesën e 24-vjeçarit që ndodhet në lagjen 17 të qytetit bregdetar, në afërsi të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku janë gjetur të tjera vepra arti. Burime policore bëjnë të ditur se janë sekuestruar 16 qypa mesjetarë me madhësi të ndyshme, 11 kolona mermeri antike, 1 kolonë graniti, 25 blloqe gurësh antikë, 1 kornizë mermeri antike, 3 amfora dhe 29 fragmente të restauruara.

Edjon Abazi u ndalua dje në Kakavijë pasi iu gjetën një sërë veprash arti të vjedhura të cilat tentoi t’i trafikonte në Greqi. Abazit që udhëtonte si pasagjer në një autoveturë, iu gjetën në çantë një numër i konsiderueshëm vepra të kulteve fetare, si kryq, piktura, pjesë të ikonostasit, të epitafit etj., vepra, që sipas autoriteteve policore lokale janë vjedhur në kisha të ndryshme.

Ndaj Abazit është ngritur akuza e trafikimit të veprave të artit dhe kulturës, vepër penale kjo që parashikon dënimin nga tre gjer në dhjetë vjet burg, në rast se provohet fajësia. Ndërkohë burimet policore bëjnë të ditur se vazhdojnë hetimet për të zbardhur më tej këtë trafik mes dy vendeve dhe persona të tjerë të përfshirë në të.

Top Channel