
Sidrit Bejleri, i ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”, theksoi se ky sezon i ‘The Voice of Albania’ ishte edhe më i arrirë se i mëparshmi.
“Këtë vit ishte gjithçka më e shpenguar. Këtë sezon e kemi shijuar më shumë sepse e njihnim më mirë njëri-tjetrin. Gjithashtu jemi “ngacmuar” më shumë dhe flokët e mi u bënë objekt thumbimesh nga ana e Ledjonit. Jemi zbavitur shumë në sytë e publikut dhe shumë më shumë pas kamerave”, u shpreh Sidriti, trajneri i fitueses së këtij edicioni të ‘The Voice’, Venera Lumanit.
“Unë shpresoja të kisha më shumë vajza në ekip dhe kjo gjë ndodhi, për më tepër që fituesja ishte një vajzë nga skuadra ime. Venera ka pranuar çdo këngë që i kam dhënë edhe pse ishin të vështira”, tha Sidriti, i cili e konsideroi spektaklin si më të mirin muzikor në vend.
“Voice është një trampolinë për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë arritur finalen. Mendoj se këtë sezon patëm prurje edhe më të mira sepse të gjithë tashmë e kanë kuptuar se “The Voice” është spektakli më i suksesshëm muzikor në Shqipëri.”
Sidrit Bejleri theksoi se do i pëlqente të ishte një nga trajnerët e ‘The Voice of Albania 3’: “Nuk e di a do të jem apo jo, por do të ishte kënaqësi për mua të isha sërish pjesë. Voice ka qenë një ndër majat e karrierës sime sepse mu dha mundësia të shprehja edhe karakterin tim. Publiku më njihte vetëm si këngëtar, ndërsa tani më njohin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël.
Top Channel