Ndërtimet “sulmojnë” lulishtet

01/02/2013 00:00

Kur ende nuk ka kaluar për miratim KRRTRSH Plani Rregullues i Tiranës,
arkitetektë, urbanistë, arkeologë dhe përfaqësues të shoqërise civile,
ngrenë me shqetësim pasojat e këtij plani në mjediset publike të
kryeqytetit.

Ndonëse flitet për shtim të hapësirave të gjelbra, sipas tyre ky plan shkaterron edhe ato hapesira qe ekzistojne duke i shndërruar në ndërtime të larta brenda qendres së qytetit.

Sipas ekspertëve, parashikohet per ndertim edhe parku me i madh qe ka qyteti brenda tij, siç eshte ai i ndertuar tek ish-fusha e Aviacionit, lulishtja prane Kullave Binjake, ajo prane ish-Partizanit të panjohur etj.

Sipas arkeologëve ky plan e studion historinë e qytetit ne menyre siperfaqesore, duke cenuar tashme edhe zonat e mbrojtura, nderkohe qe nje tjeter ndertim i larte parashikohet tashme ne ish-kendin e vetem te madh te lojrave, ai tek rruga Elbasanit, ku tashme edhe lodrat jane larguar.

“Ky plan duke e parë në përgjithësi, përbën aktin e fundit të dëmtimit përfundimtar të trashëgimisë ne pjesën më të madhe të qytetit. Për shembull, pjesa e parkut të Namazgjasë, që është një pjesë e ndërgjegjes historike e veçantë të këtij qyteti, parku i lodrave është planifikuar për zhvillimin e strukturave të larta”, thotë arkeologu Lorenc Bejko.

Sipas ekspertëve të metat e këtij plani lidhen me mungesa të dokumentave baze për hartimin e një plani rregullues, madje ky plan nuk ka të përcaktuar as nivelin e lartesise se objekteve qe do te ndertohen.

“Mungojnë në bazën e këtij plani harta e saktë dhe e axhornuar e hapësirave muzeale dhe objekteve monumentale, pranë të cilave dhe mbi të cilat nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen planifikime dhe realitete ndërtimore të reja, mungon harta e korridoreve ajrore, e bazuar mbi trëndafilin e erërave dhe mbi statitiskat e reshjeve të ndryshme, të cilat janë përcaktuese mbi drejtimet jo vetëm të erërave, por edhe të korridoreve ajrore. Nëqoftëse këto korridore bllokohen është njësoj si të mbyllësh dritaret dhe derën dhe që të presësh që dhoma të jetë e ajrosur. Mungon harta e intensitetit dhe lartësisë së strukturave”, thotë arkitekti Artan Shkreli.

Artan Lame kerkon sqarime nga Bashkia e Tiranes, pasi ky plan prek trashegimine kulturore, hapesirat e gjelbra  dhe zonat e mbrojtura te qytetit.

“Sa ka ende kohë, meqënëse plani nuk është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit, ne të bëjmë presionin tonë për të mundur të ndryshojnë gjërat. Ka ende disa instanca ku ky plan duhet të kalojë, përpara se të bëhet operativ. Mjafton që një njeri i autorizuar, një funksionar i Bashkisë së Tiranës të dalë dhe t’ju thotë qytetarëve një shprehje shumë të thjeshtë: ‘asnjë nga lulishtet ekzistuese të qytetit, asnjë nga parqet ekzistuese të qytetetit, asnjë nga zonat e mbrojtura të qytetit nuk preket nga ky plan’ dhe qytetarët do të ishin të qetë dhe ne do të ishim të qetë, por kam frikë se asnjë përfaqësues i Bashkisë së Tiranës nuk mund ta bëjë një deklaratë të tillë”, tha Lame.

Organizata ta shoqerise civile informuan per kete rrezik, qe sipas tyre i kanoset Tiranes, edhe organizata nderkombetare.

Top Channel