Autoritetet maqedonse janë shprehur kundër një vendimi të Këshillit Komunal të qytetit të Tetovës, për të shpallur Ramush Haradinajn qytetar nderi.

Vanço Shehtanski, drejtor i Inspektoriatit për Pushtetin Lokal, ka deklaruar të premten se do ta anulojë vendimin në fjalë, duke e cilësuar atë si të papranueshëm.

“Inspektorët do të reagojnë ndaj këtij vendimi, pasi nuk është marrë parasysh asnjë parim dhe për shkak të mungesës së votave të këshilltarëve maqedonas”, ka thënë Shehtanski.

Përveçse është kryetar i Inspektoriatit për Pushtetin Lokal, Shehtanski është edhe lider i partisë ultranacionaliste maqedonase TMRO.

Ceremonia për ndarjen e titullit Qytetari Nderi i Tetovës për Haradinajn është planifikuar nga Komuna të zhvillohet ditën e hënë.

Reagimi i zyrtarit maqedonas është një tjetër tregues se fryma nacionaliste vazhdon të mbetet e pranishme në vendet e Ballkanit, pavarësisht se në sipërfaqe ka stabilitet. 

Top Channel