Kina, luftë kibernetike ndaj SHBA-së

01/02/2013 15:50

Spekulimet se “hackerat” kinesë infiltruan kompiuterat e dy të përditshmëve amerikane i bashkohen një numri në rritje rastesh të raportuara të depërtimit të sistemeve të ndryshme të kompanive dhe institucioneve perëndimore, nga sulmet që dyshohet të vijnë nga Kina.

Sipas një raporti të fundit, të cilit “CNN” i referohej ditën e premte, një në tre sulme të ndodhur në tremujorin e fundit të 2012-s kishte si origjinë Kinën.

Më parë gjatë javës, një prej gazetave më të mëdha amerikane dhe botërore, “New York Times”, raportoi se gazeta ishte infiltruar nga “hacker”-at kineze vazhdimisht gjatë katër muajve të fundit.

I njëjti sulm ishte vuajtur edhe nga e përditshmja tjetër e madhe me orientim financiar, “Wall Street Journal”.

Zyrtarisht, Pekini mohon çdo mbështetje për fshehjen pas sulmeve kibernetike, duke shtuar se infiltrimi në një faqe është i ndaluar dhe rreptësisht i dënueshëm në vendin më të populluar të botës.

“Ekziston një luftë e mirëorganizuar kibernetike, me sulme ndaj “Google” dhe disa kontraktorëve të tjerë amerikanë të mbrojtjes, të vënë në shënjestër të piratëve kinezë”, deklaroi Thomas Parenty, një ish-punonjës i Agjensisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare.

Sipas ekspertëve, lufta kibernetike po përdoret nga Shërbimet Sekrete Kineze, për të fituar informacione dhe avantazhe të tjera të padrejta, për të fuqizuar ekonominë dhe ushtrinë.

Një vlerësim mbi vendet e origjinës së “hackers”-ave, realizuar në muajin dhjetor, tregoi se një e treta e të gjithë sulmeve në botë gjatë 2012-s vinin nga Kina, ndjekur me 13% nga SHBA dhe 4,7% nga Rusia.

Top Channel