Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të takohen më 6 shkurt në Bruksel. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti, Tomisllav Nikoliç përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter.

Sipas njoftimit, takimi do të mbahet pas kthimit të Nikoliç nga një vizitë në Turqi dhe do të zhvillohet nën kujdesjin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

Në këtë takim pritet të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, ndërsa nuk pritet të ketë tema konkrete, por, siç vlerësohet në Beograd, qëllimi i takimit është pikërisht të vijë deri tek takimi.

Serbia pret që ky takim dhe takimet e mëtejme të ndikojnë që shteti të marrë edhe datën e fillimit të bisedimeve për integrimin në BE pasi ka kaluar një vit që nga marrja e statusit të vendit kandidat. Ndërkaq, dy javë më vonë pritet që të takohen kryeministrat Ivica Daçiç e Hashim Thaçi.

Top Channel