Grabitja e argjendarisë, ADN-ja “gozhdon” vetëm një të dyshuar

01/02/2013 00:00

Hetimet për grabitjen e argjendarisë “Ilija” në Fier kanë sjellë fakte
të reja për dy autorët e dyshuar të saj, ku njëri prej tyre është liruar
nga akuza, pasi nuk është siguruar asnjë provë ndaj tij, ndërsa tjetri
ka mbetur në burg për shkak të ADN-së, ndërkohë që e kanë “tradhtuar”
edhe dëshmitarët për alibinë e ngritur para grupit hetimor.

Bëhet fjalë për vjedhjen me armë të argjendarisë së Ilija Kabucit në qendër të qytetit të Fierit paraditen e 5 korrikut të vitit të kaluar. Dosja me të pandehurin Armando Mita, ka shkuar në gjykatë, ndërsa i dyshuari tjetër, Ardit Fejzullai, ka arritur t’i shpëtojë akuzës, pasi ndaj tij nuk janë siguruar prova konkrete dhe prokuroria e ka pushuar hetimin. Hetuesit e kanë gozhduar Mitën me krahasimin e AND-së së tij me atë të djersës që ndodhej në syzet që i ranë në tokë pranë derës së argjendarisë një prej autorëve të grabitjes, teksa largoheshin. Por, 21-vjeçari Armando ka pretenduar se ka qenë rastësisht para argjendarisë në momentin e grabitjes dhe se syzet i kanë rënë, teksa vraponte prej frikës së dy hajdutëve të armatosur. Mësohet se prokurorja e çështjes Elsa Miha i ka përcjellë Gjykatës së Fierit dosjen për shqyrtim. Seanca e parë u shty prej togave të zeza, pasi nuk ishte paraqitur mbrojtësja ligjore e të pandehurit Mita, i cili kërkoi që gjyqi të zhvillohej në prani të saj. Kryesuesja e trupit gjykues, Matilda Shalla, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 7 shkurt në orën 13:00. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna mbi zbardhjen e autorësisë së grabitjes si dhe të alibisë së të Pandehurit Mita që ka rezultuar të jetë e rreme.

Ngjarja

Sipas dosjes së prokurorisë, paraditen e 5 korrikut 2012, rreth orës 11:00, dy persona të maskuar e të armatosur me kallashnikov, kanë vjedhur me dhunë e kanë rrahur pronarin e argjendarisë “Ilija”, Ilija Kabucin dhe punëtorin e tij, Kliton Nazëraj. Brenda 24 sekondash, ata arritën të zbrazin 2 kilogramë bizhuteri të florinjta nga katër tabaka, fakt që është konkluduar edhe nga hetimi. Në momentin që dy autorët po largoheshin, njërit prej tyre i kanë rënë syzet e diellit, rreth 10 metra larg argjendarisë. Ky fakt është konfirmuar edhe nga deklarimet e dëshmitarëve në vendngjarje. Më pas, ata u larguan me një motor tip “Scooter” ngjyrë gri, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Por, pak muaj më vonë, teksa policia po hetonte për zbardhjen e plagosjes me armë zjarri të 21-vjeçarit Ardit Fejzullai, ngritën dyshimet se ky i fundit ishte një prej autorëve të dyshuar. Pas ndalimit të Fejzullait, policia arrestoi edhe Armando Mitën. Nga krahasimi i gjurmëve të gishtave, të gjetura në vendngjarje, u konkludua se asnjë prej tyre nuk u përkiste të arrestuarve. Ndërsa AND-ja e djersës së gjetur tek syzet e një prej autorëve rezultoi të ishte identike me atë të të pandehurit Armando Mita. Në këto kushte, prokuroria pushoi hetimin ndaj Fejzullait, pasi ndaj tij nuk u arrit të sigurohej ndonjë provë konkrete. Mita akuzohet për veprën penale “vjedhje me armë” të kryer në bashkëpunim.

Alibia

Ndërkohë, Mitës i është kundërvënë edhe alibia e tij. Kjo, pasi pretendimet e tij kanë hasur në kundërshti me deklarimet e personave, me të cilët ai ka pohuar se ka qenë i shoqëruar në momentin e ngjarjes. Kështu, mësohet se i pandehuri ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka dalë nga shtëpia rreth orës 10:30 dhe ka shkuar për të blerë pica në një piceri në anën tjetër të rrugës, ku ndodhet argjendaria. Më pas ka shtuar se është hedhur në anën tjetër të trotuarit pasi ka dashur të mbushë telefonin në një pikë të “Vodafonie”. Në këtë moment ai pretendon se një person e ka shtyrë dhe i kanë rënë syzet në tokë. Mita ka pohuar se në të njëjtën kohë ka parë dy persona të maskuar e të armatosur dhe ka ikur me vrap prej frikës dhe nuk është kthyer as të marrë syzet e as nuk i ka hedhur lekë telefonit. Sipas të pandehurit, më pas ai është ulur në një lokal në anën tjetër të trotuarit dhe i ka kërkuar kamerierit telefonin për të kryer një telefonatë. Ndërkaq, Mita ka shtuar se aty ka mbërritur një person me të cilin ka qëndruar rreth gjysmë ore, duke diskutuar për atë që kishte parë tek argjendaria e më pas ka shkuar në shtëpi. Por, këto deklarime kanë qenë në kundërshtim me atë çfarë ka dëshmuar kamerieri dhe personi tjetër. Kamerieri ka deklaruar se nuk mbante mend t’i kishte dhënë Mitës celularin për të bërë ndonjë telefonatë, ndërsa personi tjetër ka sqaruar se kishte pirë kafe në mëngjes herët dhe jo në mesditë kur pretendon i pandehuri. Gjithashtu, deklaruesi në fjalë ka shtuar se Mita nuk i ka bërë asnjë bisedë rreth grabitjes. Tjetër provë që ka rrëzuar alibinë e Mitës është edhe deklarimi i një dëshmitari, i cili ka pohuar se syzet i janë rrëzuar një prej grabitësve. Po kështu, edhe nga verifikimi i thirrjeve telefonike është konstatuar se vendndodhja e të pandehurit ditën e ngjarjes ka qenë e ndryshme nga ato që ai pretendon.

Gazeta “Shqip”

Top Channel