Egjipt, valë e re protestash kombëtare

01/02/2013 16:00

Me dhjetëra mijëra egjiptianë iu rikthyen manifestimeve popullore ditën e premte, në serinë e radhës së protestave që kanë përfshirë të gjithë vendin, që prej marrjes së pushtetit nga presidenti islamik Mohammed Mursi.

Më shumë se 60 persona kanë humbur jetën në valën e fundit të dhunës, ndërsa thirrjet për qetësim duket se kanë rënë në veshë të shurdhërt.

Më parë gjatë javës, një gjeneral i ushtrisë paralajmëroi se gjendja po bëhet gjithmonë e më kritike dhe se qeveria e Mursit rrezikon të shembet, nëse rendi publik nuk do të kthehet së shpejti në vendin më të madh të Afrikës Veriore.

Pas lutjeve të së premtes, protestuesit nisën marshimin e tyre drejt pallatit presidencial në Kajro dhe u grumbulluan në qendër të qytetit të Port Saidit, që përkujton përvjetorin e parë të një përplasje madhore në një stadium futbolli, ku 74 persona mbetën të vrarë.

Gjykata dënoi më parë gjatë janarit 30 tifozë me vdekje, por mbështetësit e Port Saidit e konsideron vendimin si të njëanshëm dhe të padrejtë, duke u shndërruar në nismëtarë të një vale protestash në vend, që kanë marrë ndërkohë edhe karakter politik e ekonomik.

Në 2012-n, Mursi u përball me një seri tjetër revoltash popullore, për shkak të aprovimit nëpërmjet një referendimi të ligjeve që i jepnin një karakter islamik legjislacionit dhe statusit të vendit me 84 milionë banorë.

Aktualisht, protesta po mbahen edhe në qytetet e Aleksandrisë dhe disa qëndra të tjera të mëdha të banuara në të gjithë vendin.

Sipas një raporti shqetësues, vala e manifestimeve në Egjipt është shoqëruar me abuzime të shumta të të drejtave të njeriut, me disa dhjetëra rastesh përdhunimesh të regjistruara midis kaosit, torturash apo arrestimesh të paligjshme.

Top Channel