Dështon lëshimi i satelitit amerikan

01/02/2013 15:30

Një raketë ruse, e cila do të lëshonte një satelit amerikan të telekomunikacionit në orbitë, u rrëzua pak pas lëshimit në Oqeanin Paqësor, mesditën e së premtes.

Raketa “Zenit-3SL”, e lëshuar nga një bazë lundruese në jug të ishujve hauajanë, shpërtheu në ajër 40 sekonda pas nisjes.

Sateliti “Intersat-27” kishte si qëllim që të pozicionohej mbi Oqeanin Atlantik, për të përmirësuar shërbimet e telekomunikacionit midis Amerikës së Veriut, asaj të Jugut dhe Europës.

Askush nuk mbeti i lënduar në këtë incident. “Sea Launch Company”, e cila ishte ngarkuar të realizonte lëshimin nga platforma detyra, nisi një hetim për të zbuluar arsyet që mund të kenë çuar në shkatërrimin e raketës dhe satelitit.

“Jemi shumë të zhgënjyer nga rezultati i lëshimi dhe i ofrojmë keqardhjen tonë të sinqertë klientit tonë, “Intelsat” dhe prodhuesit të këtij sateliti, “Boeing”-ut”, deklaroi Kjell Karlsen, president i “Sea Launch AG”, në një deklaratë për shtyp.

“Arsyeja e këtij dështimi është e panjohur, por po vlerësojmë çdo rrethanë me klientët tanë dhe do të bëjmë gjithçka të mundur për të reduktuar sa më shumë pasojat e këtij incidenti”, shtoi Karlsen.

Në vitin 2007, një shpërthim spektakolar i një rakete në platformën e lëshimit bëri që “Sea Launch” të pësonte humbje kolosale dhe të deklaronte falimentimin pak kohë më pas. Kompania ishte rikthyer të operonte së fundmi.

Top Channel