Pas pesë viteve ndërprerje të komunikimit zyrtar mes ish-partnerëve të koaliconit qeveritar, me kërkesë të kryeministrit është zhvilluar, të mërkurën në qeveri, një takim mes Nikolla Gruevskit dhe kreut të Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaci.

Në takim është biseduar për proçeset eurointegruese dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mars. Thaçi tha se ka kërkuar garanci nga Gruevski për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“E përkujtova kryeministrin se shumë zyrtarë të lartë të qeverisë, që kanë funksione, tashmë janë të dënuar dhe lëndët e tyre kanë ngecur nëpër sirtarët e gjykatësve, po ashtu implikimet e ndryshme të drejtuesve të shetit, siç është kryeshefi i policisë Tetovë-Gostivar, i cili u ofron njërëzve para që t’i blejnë votat e maqedonasve në Tetovë. Përfundimisht u morëm vesh, që të ketë një komunikim mes shtabeve zgjedhore, që të mos ketë ngatërresa teknike gjatë fushatës”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kreu i PDSH-së u shpreh i bindur se në zgjedhjet lokale, partia e tij do të fitojë më shumë komuna se partia shqiptare në pushtet BDI. I pyetur, nëse para zgjedhjeve do të takohet me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, Thaçi tha se nuk sheh arsye për një takim të tillë.

“Ka pas shumë iniciativa që të takohem me z. Ahmeti, por seriozisht dhe pa cinizëm, unë kam zgjedhur që të takohem me shefin e z. Ahmeti. Shefi i tij është Nikolla Gruevski dhe nuk kam pse të takohem me 100 parti, nuk është çështje e koalicioneve apo marrëveshje, por partia e cila e ka në dorë qeverisjen e mban përgjegjësinë”, tha Thaçi.

Thaci është njoftuar nga kryeministri Gruevski edhe për proçesin rreth çështjes së emrit, po ai u shpreh skeptik se qeveria aktuale mund të zgjidhë këtë problem shumë vjeçar.

Top Channel