SHBA paralajmëron Sirinë

31/01/2013 23:40

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Sirinë për të mos i transferuar armë Hezbollahut, në Libanin fqinj.

Ky paralajmërim vjen në kohën, kur ka lajme kontradiktore për sulmin e avionëve izraelitë në territorin sirian.

Damasku flet për një ofensive ajrore të avionëve izraelitë, që goditën një qendër kërkimore në veri-perëndim të vendit.

Nën-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rods, nuk dha detaje mbi sulmin izraelit. “Siria, tha ai, nuk duhet të destabilizojë rajonin, duke i transferuar armë Hezbollahut”.

Gazetari i BBC-së, Pol Adams, thotë se lajmi i ofensivës ajrore duket se nuk ka shkaktuar alarm në Uashington.

Sipas tij, prania e shefit të shërbimit sekret ushtarak të Izraelit në Uashington sugjeron se administrata Obama mund të jetë informuar kohë më parë.

Më herët, autoritetet siriane i paraqitën zyrtarisht ankesën Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për sulmin izraelit brenda territorit të Sirisë.

Ministria e Jashtme e Sirisë i paraqiti një notë proteste Komandantit të Forcës Vëzhguese të OKB-së në Golan, ku thuhej se veprimet e Izraelit shkelin marrëveshjen e vitit 1974, të shkëputjes mes palëve, që teknikisht janë ende në luftë.

Trupat e OKB-së ndodhen në Golan prej 1974, me detyrën e vetme për të garantuar zonën ndarëse në dy anët e këtij territori.

Në deklaratën e ushtrisë siriane thuhej se, qendra në Xhamraja u dëmtua gjatë sulmit dhe nënvizoi faktin se grupet terroriste, term me të cilin përcaktohen kryengritësit, kishin dështuar vazhdimisht për ta goditur qendrën.

Një aktivist i opozitës i tha gazetës prestigjoze “Uashington Post”, se megjithëse ka patur dy sulme kundër qendrës, në orët e para të së mërkurës, nuk është dëgjuar zhurma e avionëve dhe kjo vetëm nëse është përdorur ndonjë truk teknologjik.

Autoritetet izraelite deri tani kanë heshtur për incidentin, ndërsa Rusia dhe Irani kanë dënuar sulmin me terma të ashpra.

Top Channel