Forumi Rinor Eurosocialist zhvilloi një takim, ku në qendër të tij ishte draft-programi i Partisë Socialiste për sportin.
Kryetari i komisionit për sportin në këtë parti, Fidel Ylli, pranoi para të rinjve socialistë se është pikërisht sporti, për të cilin atij i flet shpirti.
“Unë e dua sportin dhe e kam thënë e do ta them që shumë gjëra, që kam arritur në jetë, ia dedikoj sportit dhe veçanërisht sportit të mundjes”, tha Ylli.
Duke vlerësuar draft-programin e Partisë Socialiste për sportin, Ylli deklaroi se ky është një program me këmbë në tokë, me një kosto financiare të kalkuluar dhe që synon rezultate konkrete.
“Do të rrisim punësimin, do të largojmë të rinjtë nga droga dhe alkooli, do të rrisim imazhin e Shqipërisë, do të rrisim orët e mësimit nëpër shkolla dhe nuk do të lejojmë që të na ikë një kampion i madh, si Elis Guri në 2011-n”, shtoi Fidel Ylli.
Më pas, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe ky një ish-sportist, pranoi me modesti se si ndihej përpara karrierës sportive të Fidel Yllit.
“Fideli ishte dhe do mbetet në historinë e sportit shqiptar si një yll, kurse unë isha dhe do mbetem si një i gjatë, por që shikoja yjet”, tha Rama.
Duke iu rikthyer programit të Partisë Socialiste për sportin, Rama tha se do të bëhet gjithçka për të rritur cilësinë dhe rezultatet e sportit shqiptar, por mbi të gjitha, sipas tij, sporti në vendin tonë duhet të bëhet pjesë e kulturës qytetare dhe familjare te të rinjtë.
“Ne duam, në radhë të parë, që të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të mund të ushtrojnë aktivitet sportiv, jo për t’u bërë sportistë profesionistë, por për ta pasur sportin pjesë të kulturës së tyre qytetare e familjare”, shtoi Edi Rama.
Në fund, ai u premtoi të rinjve socialistë se pas 4 vitesh, kur rezultatet e sportit të jenë evidente, ata do të ndihen krenarë, që kanë qenë të pranishëm në këtë takim.
Top Channel