Gjatë vitit 2012 situata e sigurisë në Kosovë ka qenë më e mirë se në vitin 2011, sipas raportit vjetor të NATO-s.

“Por korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e zhvillimit ekonomik vazhdon të ndikojë situatën e përgjithshme të sigurisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës”, evidenton raporti.

Gjatë vitit 2013, siç konfirmoi sekretari i përgjitshëm i Aleancës, prania e trupave të KFOR-it nuk do të ulet, për shkak të situatës së paqëndrueshme në veri.

“Për momentin, prania e KFOR-it do të mbetet ajo që është në Kosovë, që është pak më shumë se 5000 trupa. Siç e dini, kemi një plan afatgjatë për të ulur numrin e pranisë së trupave të KFOR-it, por për shkak të situatës së paqëndrueshme, veçanërisht në veri, ne kemi shtyrë vendimet për të ulur më shumë praninë tonë të mëtejshme në Kosovë. Pra, ne do të ruajmë numrin e tanishëm të trupave në Kosovë, për sa kohë të jetë e nevojshme, për të garantuar se ne do t’i përmbahemi mandatit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë popullin e Kosovës”, tha Anders Fogh Rasmussen, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Në pjesën e raportit për Kosovën, NATO e cilëson dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të një rëndësie kyçe për zgjidhjen e bllokimit politik për veriun e Kosovës.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel