Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt pritet të nënshkruajnë marrëveshje për qëndrimin e përkohshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kosovë, dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Shqipëri.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën propozim-vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes për statusin e anëtarëve të këtyre forcave, gjatë qëndrimit të tyre në territorin e shteteve përkatëse.

“Unë besoj që është marrëveshje bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Ka momente të caktuara, kur pjestarët e FSK-së shkojnë në Shqipëri apo edhe e kundërta. Ne kemi bërë edhe me shtete të tjera marrëveshje të tilla. Tani duhet ta kemi një marrëveshje të tillë, që lejon veprimet e tilla edhe prezencën sipas rregullave ushtarake. Për shembull: më 13 shkurt do të jetë një manifestim në Tiranë për 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku vendi i FSK-së do të jetë në Tiranë. Atje do të shkojnë me uniforma.”, tha zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Qeveria e Kosovës kishte dërguar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ndihmuar Shqipërinë gjatë kohës së përmbytjeve, ndërsa së fundi edhe një kuadrat kishte marrë pjesë në parakalimin krah për krah me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.

Top Channel