Kthimi i fëmijëve të emigrantëve

31/01/2013 00:00

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti priti në një takim ambasadorin grek
në Tiranë, Leonidas C. Rokanas, me të cilin bisedoi për çështjen e
toponimeve në pasaporta dhe nevojën për një zgjidhje urgjente të këtij
problemi.

Sipas një njoftimi të Ministrisë, Panariti është shprehur se Qeveria Shqiptare ka paraqitur tashmë një propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bazuar në praktikat ndërkombëtare, dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare.

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të intensifikohen negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes takimeve mes grupeve të punës të ngritura në vendet respektive.

Gjithashtu, ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth intepretimit të Kodit Shengen nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizimin e tyre në pikat e kalimit kufitar.

Gjatë javëve të fundit në mënyrë sistematike autoritetet kufitare greke kanë refuzuar futjen në Greqi të fëmijëve shqiptarë në pasaportat e të cilëve, emrat e qyteteve greke ku ata kanë lindur shënonhen në shqip dhe jo në gjuhën greke apo angleze.

 

Top Channel