Dani Alves: Në Spanjë ka racizëm

31/01/2013 16:15

Dani Alves, mbrojtësi i Barcelonës, theksoi se në Spanjë lufta kundër racizmit është një luftë e humbur. Braziliani u vërshëllye nga publiku i Santiago Bernabeut në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit (1-1), por ai theksoi se kjo gjë ndodh në të gjitha stadiumet spanjolle.

“Nuk e çova në mend të braktisja fushën sepse kjo nuk ndodh vetëm në Bernabeu, por në të gjitha stadiumet ku shkoj me Barcelonën. Po bëhet luftë që të mos ndodhin të tilla gjëra, por vazhdojnë të ndodhin. Tifozët duhet të mbështesin ekipin e tyre dhe jo të ofendojnë kundërshtarët. Lufta kundër racizmit është e humbur. Kam 10 vite që luaj në Spanjë dhe asgjë nuk ndryshon në këtë aspekt”, u shpreh Dani Alves, i cili u ankua edhe për lojën e ashpër të Real Madrid.

“Kur ata fitojnë, Klasiket janë të qeta. Gjithmonë luajnë në kufirin e të lejueshmes dhe nëse nuk e kontrollojnë dot veten, atëherë mendoj se nuk janë në gjendje të përballojnë ndeshje të tilla. Ne luajmë thjesht futboll”, nënvizoi braziliani.

Alves u ankua dhe për faullin që i shkaktoi Cristiano Ronaldo, i cili nuk u ndëshkua me karton nga ana e arbitrit. Nëse do ishte ndëshkuar, portugezi do të pezullohej për gjysmëfinalen e kthimit.

“Nuk e kuptoj se si nuk mori karton të verdhë për atë faull. Nëse do e bëja unë, do të merrja karton të kuq. Por dikujt nuk i interesonte që Cristiano të mungonte në ndeshjen tjetër pasi nuk do të kishte duel me Messin”, deklaroi Alves.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA