Të paktën tetë tifozë të Gremios mbetën të plagosur, kur një shkallë e stadiumit të ri të sapoinaguruar në qytetin e Porto Alegres u shemb gjatë një ndeshje të Kupës Libertadores, ndaj ekuadorianëve të Kuitos.
Në minutën e 61’, kur Elano realizoi për vendasit, ultrasit pas përtës tentuan të realizonin festimin e tyre tradicional të “ortekut”, me një grup tifozësh që vijnë me vrull nga shkallët e larta të stadiumit, për të formuar një efekt viziv spektakolar.
Megjithatë, për shkak të një gabimi në projektim, prej mosllogaritjes së një mbipopullimi të tillë në sektorin përkatës, një pjesë e fasadës u shemb, duke marrë me vete tifozët që mbetën të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Një përllogaritje e ekspertëve në ngjarje zbuloi krisje dhe të çara të tjera në betonin mbajtës, duke arritur në përfundimin se mund të kishte ndodhur një tragjedi e vërtetë, nëse shkalla do të ishte shembur tërësisht.
Tifozët e Gremios mbanin në këtë takim pankarta përkujtimore për 235 viktimat e një zjarri në një klub nate në jug të vendit, incident i ndodhur më parë gjatë javës.
Mbipopullimi i sektorëve të veçantë të stadiumeve është gjithmonë problematik për projektuesit e tyre, me disa incidente të njohura gjatë historisë, përfshirë shembje të sektorëve apo shtypje e asfiksim, si në Hillsborou, kur 96 tifozë të Liverpulit humbën jetën, të shtypur mes një sektori tejet të mbipopulluar.
Top Channel