Bllokimi i fondeve, Polonia kundër BE-së

31/01/2013 16:15

Zyrtarët polakë shprehën “zhgënjimin e tyre të thellë” ndaj një vendimi të Bashkimit Europian, i cili bllokoi projekte me vlerë prej pothuajse një miliardë euro të financimit të përmirësimit të infrastrukturës rrugore të vendit.

Brukseli vendosi të bllokonte pjesëmarrjen në projektet e Varshavës zyrtare në bazë të dyshimeve për korrupsion dhe përvetësime të paligjshme të fondeve.

Në lidhje me këtë skandal, dhjetë drejtorë firmash rrugore dhe një ish-drejtor i Agjensisë Shtetërore të Ndërtimit të Rrugëve në Poloni janë arrestuar, mbi bazën e dyshimeve për tentimin e fiksimit të çmimeve dhe dëmtimit të konkurrencës në treg.

Nga ana e tij, ministri polak i Infrastrukturës, theksoi këtë të enjte se nuk është vërejtur asnjë parregullsi në mënyrën se si janë realizuar tenderat, ndërsa e konsideroi ngrirjen e fondeve nga BE si një “kujdes të tepruar”.

Polonia, një shtet me 38 milionë banorë, është përfituesi më i madh i ndihmës europiane të zhvillimit.

Në një deklaratë, Komisioni Europian informoi më parë gjatë ditës se ngrinte investimet me vlerë 957 milionë euro, për sistemin rrugor polak.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, gjerësisht e amortizuar dhe e papërshtatshme për kërkesat e ekonomisë moderne, konsiderohet si një prej faktorëve kyç të stimulimit të investimevetë huaja në Poloni.

Top Channel