David Beckham, futbollisti i ri i Paris SG, deklaroi se zgjodhi kryeqytetin francez pasi beson se është vendi i duhur për të fituar tituj të rinj dhe mbyllur karrierën e tij.
Njëkohësisht, ish-kapiteni i kombëtares britanike zbuloi se të gjithë pagën e tij prej 150 mijë stërlinash në javë do ta dhurojë për të financuar projekte bamirësie.
“E vërteta është se jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, edhe pse momentalisht, gruaja dhe fëmijët e mi do të mbeten në Londër. Megjithatë, më motivon shumë prezenca ime këtu dhe duke dashur diçka të veçantë, vendosa të dhuroj të gjithë pagën time për një organizatë bamirësie në Paris. Nuk e di nëse kjo është bërë më parë, por jam shumë krenar për vendimin që mora”, nisi konferencën për shtyp, 37-vjeçari.
“Ndihem me shumë fat, pasi nuk është e zakonshme që në moshën 37-vjeçare të kesh ende shumë oferta, më shumë se kurrë në jetën time. Megjithatë, përceptoj se Parisi ka një projekt shumë të rëndësishëm, që do ta lejojë të arrijë suksese të mëdha brenda viteve të ardhshme. Për këtë arsye, për mua është një nder që të jem pjesë e këtij projekti dhe të bashkëpunoj me Ancelottin, një prej trajnerëve më të mirë që kam njohur në jetën time”.
“Spice Boy” lidhi me Paris SG një kontratë deri në fund të sezonit, por beson se bashkëpunimi i tij me parizienët mund të jetë më i gjatë. “Nuk kemi biseduar me detaje mbi këtë temë, por besoj se të dyja palëve do rtë na pëlqente një marrëdhënie sa më e gjatë. Jam shumë i lumtur që rikthehem në Europë në një ekip, i cili do të jetë një prej protagonistëve më të mëdhenj të kontinentit në vitet në vazhdim”, përfundoi Beckham.
Top Channel