Balotelli darkon, tifozët përleshen me policinë

31/01/2013 03:30

Tifozët e Milanit janë përplasur me policinë italiane, teksa kanë qenë duke festuar transferimin e Mario Balotelli-t në Milano, nga Manchester City.

Policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa tifozët ndezën tymuese dhe thyen shishe jashtë restorantit “Giannino” në Milano, ku sulmuesi italian ishte duke ngrënë darkë.

Një polic është dërguar në spital, pas plagëve të marra në kokë, sipas raportimeve. Balotelli ndodhet në Milano për vizitat mjekësore, përpara se të hedhë firmën në kontratë, një transferim që kushtoi plot 22 milionë euro.

Balotelli tha më herët se nuk kishte hezituar aspak për të vendosur kalimin nga Anglia te 7 herë kampionët e Europës.

“Kam dashur të luaj me Milanin prej shumë kohësh”, tha 22-vjeçari. “Sigurisht, kam qenë pronë e ekipeve të tjera dhe nuk mund të luaja, por kur mu dha rasti, e shfrytëzova me nxitim”.

City e bleu Balotelli-n nga Interi, rivalët më të betuar të Milanit, për një shumë prej 23 milionë paundë në 2010, teksa lojtari shënoi 30 gola në 80 ndeshje për klubin anglez.

Ai ndihmoi City-n të festonte titullin kampion në Premier League, sezonin e kaluar, por që prej atëherë ka shënuar vetëm 3 gola në 20 ndeshje.

Milan arriti një marrëveshje me City-n gjatë së martës, ndërkohë që Balotelli pritet të nënshkruajë një kontratë prej 4 vitesh e gjysmë, menjëherë pas kalimit të vizitave mjekësore.

Largimi i Balotelli-t erdhi pas një debati gjatë stërvitjes me trajnerin e City-t, Roberto Mancini, më 3 janar, grindja e fundit e një kalvari të gjatë kontrovers gjatë periudhës së tij në Angli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA