20-vjetori i qendrës “Don Bosko”

31/01/2013 22:25

Kryeministri Sali Berisha vizitoi qendrën sociale “Don Bosko” në Tiranë, e cila në një ceremoni festive përkujtoi 20-vjetorin e pranisë së “Urdhrit Salezian” në Tiranë.

Qendra sociale “Don Bosko” ka si mision promovimin njerëzor dhe social të adoleshentëve dhe të të rinjve, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve më vulnerabël.

Sot, kjo qendër sociale drejton Kolegjin “Don Bosko”, i cili përbëhet nga shkolla 9-vjeçare, Gjimnazi, shkolla e mesme Profesionale; qendra e formimit profesional; qendra ditore në ndihmë të fëmijëve kryesisht me etni rome, si dhe “Shtëpinë e miqve” në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Në ceremoninë e rastit, kryeministri u nderua me titullin “Mik i Don Boskos”, me motivacionin “Për kontribut të çmuar, impenjim social, mbështetje të iniciativave të zhvillimit dhe forcimit të strukturave rinore”.

Kryeministri shprehu, për të pranishmit, kënaqësinë dhe nderimin, që ndodhej i pranishëm në një qendër, e cila ngrihet moderne dhe bashkëkohore, atje ku 20 vjet më parë, siç tha ai, ishte zona më e humbur periferike e kryeqytetit.

Kryeministri iu drejtua me mirënjohje themeluesve të qendrës, të cilët përzgjodhën Tiranën, për të ndarë vuajtjet dhe problemet me të rinjtë e këtij qyteti, por dhe të të gjithë Shqipërisë, si dhe për t’i ndihmuar ata në mënyrën më të suksesshme.

Me vlerësimin më të lartë për veprimtarinë humane të qendrës sociale “Don Bosko”, kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e kësaj veprimtarie në çdo skaj të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA