Qytetarët serbë të veriut të Kosovës protestuan sërish të mërkurën kundër marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se protesta u zhvillua në sheshin “Shumadia” dhe në rrugën “Mbreti Petar”, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas Hotit, protesta përfundoi e qete dhe përveç vështirësive të qarkullimit në komunikacion nuk ka pasur probleme të tjera.

Protesta u organizua nga kryetarët ilegale të katër komunave në veri. Ata thanë se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë marrëveshje që e cilësojnë Kosovën si shtet të pavarur.

Pak ditë më parë, në një protestë të ngjashme, serbët bllokuan qarkullimin në rrugën Mitrovicë–Leposaviç. Ata u grumbuluan në fshatin Rudarë të Zveçanit për të penguar qarkullimin e mundshëm të doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës për në pikën kufitare të Jarinjës.

Serbët vendosën mure betoni në formë zik-zaku, në mënyrë që të mund të vëzhgonin secilin automjet që kalonte dhe njerëzit që udhëtonin brenda tyre.

Si Policia e Kosovës, ashtu edhe ajo e misionit EULEX shmangën ndërhyrjen për heqjen e bllokadës, për të mos krijuar tensione me banorët.

Lidhur me situatën në veri reagoi më herët gjatë muajit ambasadori britanik në Prishtinë, Jan Cliff, i cili deklaroi se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

Top Channel