Siri, Brahimi: Horror i paprecedentë

30/01/2013 03:00

Konflikti në Siri ka arritur “nivele të paprecedenta horrori”, ka deklaruar i dërguari i OKB-së për paqe në Këshillin e Sigurisë.

Përfaqësuesi i OKB-së dhe Ligës Arabe tha se Siria po shkatërrohet “pak nga pak”, me pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Ai ka folur pak orë pas daljes së provave për një tjetër masakër në qytetin verior të Aleppo-s.

Të paktën 71 trupa u gjetën pranë një lumi në distriktin perëndimor Bustan al-Qasr, bënë të ditur aktivistët e opozitës. Shumica prej tyre i kishte duart të lidhura pas shpine dhe ishin qëlluar me armë në kokë.

Brahimi është duke u përpjekur për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën, bazuar mbi një plan paqeje të aprovuar në konferencën ndërkombëtare të qershorit 2012. OKB thotë se konflikti ka lënë më shumë se 60 mijë njerëz të vdekur.

Sipas korrespondentes së BBC-së në OKB, Brahimi dha një vlerësim të ashpër të situatës në Siri, që reflekton edhe irritimin e tij për bllokimin në Këshillin e Sigurisë.

“Janë arritur nivele të paprecedenta horrori. Tragjedia nuk ka fund”, tha Brahimi në një takim me dyer të mbyllura të Këshillit prej 15 anëtarësh, sipas diplomatëve.

“Vendi po shkatërrohet përpara syve të të gjithëve. Vetëm komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë dhe, mbi të gjitha, Këshilli i Sigurisë”.

Duke folur më pas për reporterët, Brahimi tha se qeveria siriane dhe opozita janë duke shkatërruar Sirinë “pak nga pak” me veprimet e tyre.

“Rajoni po shkon drejt një situate ekstremisht të keqe”, tha ai. “Ndaj, besoj se Këshilli i Sigurisë nuk mund të vazhdojë të thotë: ‘Kemi mosmarrëveshje, prandaj le të presim për kohë më të mira’. Mendoj se ata duhet të ballafaqohen me këtë problem tani”.

Top Channel