Gjykata e shkalles së parë e rrethit Përmet ka marrë vendimin për të dënuar vetëm tre policë bashkiakë lidhur me skandalin e shkatërrimit të pallatit të kulturës “Naim Frashëri”.
Objekti në fjalë, me katër vendime gjyqësore, mes të cilave dhe një i Gjykatës Kushtetuese, duhet të ishte kthyer në variantin e tij fillestar.
Jetmir Spahiu, Josif Mihali dhe Arben Çuedari janë dënuar me nga 9 muaj heqje lirie nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, sepse kanë lejuar ndërtime brenda kësaj godine të zaptuar, sipas gjykatës, në mënyrë të kundraligjshme nga kisha ortodokse.
Ndërkohë, prokuroria pati kërkuar dënim edhe për ish-kreun e bashkisë Përmet, Edmond Komino dhe priftin Athanas Qerimi, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkatërrimit të pronës dhe ndërtimit të kundraligjshëm. Por ata janë shpallur të pafajshëm nga gjykata.
Prokuroria e rrethit Përmet përdori si provë në këtë gjyq pamjet e transmetuara në Top Channel në njërin prej reportazheve të ciklit “Shqipëria Tjetër”, me gazetar Marin Memën, ku jepeshin pamjet ekskluzive sesi kryheshin punime gjatë orëve të natës për ndërtimin e një kishe brenda mureve të ndërtesës së pallatit të kulturës.
Në një konflikt mes bashkisë dhe kishës, tre shkallët e gjyqësorit dhe Gjykatës Kushtetuese kishin vendosur që objekti të ishte pallat kulture dhe jo objekt kulti.
Top Channel