Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar maratonën e numërimit të votave të rreth 700 delegatëve, të cilët kanë zgjedhur 154 anëtarët e Këshillit Drejtues.

Më i votuari është anëtari më i ri i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka marrë 581 vota të delegatëve, ndërkohë që i dyti është nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, i cili mban edhe postin e zëvëndëskryeministrit në qeverinë e Kosovës.

Pjesë e këtij këshilli janë zgjedhur edhe Fatmir Limaj, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën për krime lufte, si dhe sekretari i saj Jakup Krasniqi, i cili nuk ka marrë pjesë në Koventën Zgjedhore.

Limaj është i 10-ti në listë dhe ka 473 vota, ndërkohë Krasniqi është i 36-ti me 373 vota. Në Këshillin Drejtues të PDK-së do të bëjë pjesë edhe Agim Çeku, ish-kryeministër i Kosovës, i cili ditë më parë u bë pjesë e kësaj partie.

Të dielën, Hashim Thaçi u rizgjodh edhe për katër vitet e ardhshme si kryetar i PDK-së, ndërsa delegatët e Konventës së 6-të Zgjedhore patën mundësinë që të zgjidhnin së paku 76 e më së shumti 154 emra për anëtarë të Këshillit Drejtues.

Top Channel