Mali, stuhia e rërës ndalon avancimin francez

30/01/2013 21:00

Ofensiva franceze në Mali u ndal përkohësisht mbrëmjen e së mërkurës, jo për meritë të luftëtarëve islamikë, por sepse trupat u përfshinë nga një stuhi e fortë rëre.

Disa qindra trupa janë aktualisht të bllokuara në aeroportin e Kidalit, qytetit të fundit të madh në duart e kryengritësve, informoi Ministria franceze e Mbrojtjes.

Kjo deklaratë kundërshton raportimet e disa orëve më parë të disa mediave ndërkombëtare, që u shprehën se rebelët kishin braktisur qytetin dhe se Kidali, në verilindje të Malit, tashmë ishte në duart e ushtrisë vendase dhe komandove francezë.

Gjatë kësaj jave, trupat gjeneralit Gaulliard kanë realizuar një përparim të ndjeshëm në territorin armik, duke zaptuar qytetet e Gaos dhe Timbuktusë, pas një rezistence pothuajse inekzistente të kryengritësve në tërheqje.

Aktualisht, forcat islamike kanë përqëndruar fuqinë e tyre në zonat rurale, ku e kanë më të lehtë të mbrohen, falë përkrahjes së fshatrave besnikë dhe njohjes më të mirë të terrenit.

Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 10 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmës, pas avancimit të militantëve në veri.

Presidenti Hollande, më parë është shprehur se trupat franceze kanë si synim të largohen brenda pak kohësh nga lirimi i plotë i vendit, i cili pritet t’i kalojë për administrim trupave të një koalicioni aleat vendesh afrikane.

Top Channel