Policia e Kosovës nuk ka zbuluar ende shkakun e rënies së zyrtarit të qeverisë nga kati i nëntë i banesës së tij. Zyrtarët e policisë për rajonin e Prishtinës thonë se hetuesit e klasifikojnë këtë si vdekje të dyshimtë deri në marrjen e raportit të mjekësisë ligjore.

Edhe drejtori i Departamenti të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu nuk dha detaje për këtë ngjarje, por konfirmoi se po punohet në këtë drejtim.

“Për shkak të ceremonisë së varrimit, policia nuk ka mundur të marrë as deklaratat e familjarëve për të kuptuar motivet që çuan drejt këtij akti” thonë burimet policore.

Nga ana tjetër, në një mbledhje komemorative ku morën pjesë kolegë, miq e familjarë u tha se Hamdi Sopa me jetën dhe veprën e tij, në kujtesen e të gjithë atyre që e njohën, do të mbetet sinonim i intelektualit, i njeriut të qytetëruar dhe i zyrtarit të devotshëm të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Hamdi Sopa ka punuar në vitet e pasluftës në zyrën për marrëdhëniet me publikun në qeverinë e Kosovës, duke qenë kështu nga gazetarët e parë që nisi themelimin e këtij shëbrimi në zyrën qeverisë.

Sopa ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe po kështu pas luftës ka punuar në media të shkruara dhe elektronike. Ai humbi jetën të martën rreth orës 15:50 nga rënia nga dritarja e banesës së tij në lagjen Aktash të Prishtinës.

Top Channel