Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duket se ka vendosur të presë zgjedhjet e rregullta për të fituar dhe zgjedhur pastaj kryeministër i Kosovës.

Ai tha se nëse deri në fund të kësaj jave nuk arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, gjendja do të mbetet kështu siç është deri në kohën e zgjedhjeve.

“Për pak ditë do t’i japim epilog një mundësie të këtillë. Pra, vetvetiu po mbërrijmë në një epilog. Më vjen keq nëse kjo ka shkaktuar dilema ose çfarëdo qoftë tjetër”, deklaroi Haradinaj.

Këto komente ish-kryeministri kosovar i bëri gjatë vizitës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjatë së cilës u njoftua me proçeset nëpër të cilat po kalon FSK-ja.

Haradinaj shtoi se, nëse do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, atëherë menjëherë do të nisë puna, në të kundërtën alternativë mbetet mundësia për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

Debati për zgjerimin e koalicionit qeverisës ka nisur menjëherë pas  kthimit të zotit Haradinaj nga Haga. Por përveç përplasjeve rreth postit të kryeminsitrit, të cilin e dëshiron Ramush Haradinaj dhe afrimit të AAK-së me qeverinë për bisedimet me Serbinë, deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete në këtë drejtim.

Top Channel