“Gjermania, favorite për titullin në Brazil 2014”

30/01/2013 19:50

Kampioni i botës me Gjermaninë e 1974-s dhe një prej futbollistëve më të mirë që kanë veshur ndonjëherë bluzën e “Mannschaft”, Gunter Netzer, konsideron kombëtaren gjermane si favorite për titullin në Botërorin e vitit të ardhshëm.

“Absolutisht që kemi të gjithë cilësinë e nevojshme për të fituar Botërorin. Spanja mbase është ende favorite, por herët apo vonë do të humbasin dhe ne duhet të jemi aty që të përfitojmë. Besoj se kjo do të ndodhë që në Brazil 2014”, deklaroi dy herë futbollisti më i mirë i Bundesligës, në vitet 1972-73, në të përditshmen “Bild”.

Netzer, i cili luajti dhjetë vjet me Borusian e Mynshengladbahut, përpara se të transferohej tek Reali i Madridit në vitin 1973, u tregua i pakursyer në lëvdatat e tij për trajnerin Joachim Loë.

“Kam vetëm komplimenta për punën e tij. Ai ka zhvilluar në kombëtare një stil loje që të bën për vete dhe jashtëzakonisht të suksesshme. Tashmë mbetet vetëm hapi i fundit për t’u hedhur, një titull i madh. Gjermanët që po shohin këtë përfaqësuese sot, nuk kanë parë kurrë në të shkuarën një stil të njëjtë loje”, shtoi Netzer.

Top Channel