Dollapi: Asnjë falje për debitorët

30/01/2013 00:00

Kalimi i administrimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë nga çekët tek shteti shqiptar nuk do të krijojë asnjë hapësirë për faljen e faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Në një intervistë për emisionin “Wake Up” në Top Channel, administratori i ri i “Cez Shpërndarje”, Sahit Dollapi tha se nuk do të ketë falje për qytetarët apo bizneset që janë debitorë ndaj kompanisë.

“Nuk ka të drejtë dhe autoritet asnjë person dhe asnjë institucion që të falë faturat e energjisë. Pra, nuk do të ketë falje të detyrimeve”, deklaroi Dollapi.

Ndërsa në prezantimin e drejtorit të “CEZ Shpërndarje” për Tiranën, zoti Sulejman Lami, administratori i sistemit të shpërndarjes tha se nga ana tjetër nuk do të tolerohet asnjë rast i keqtrajtimit të qytetarëve.

“Askush nuk do faturohet në mënyrë abuzive, por askush nuk do marrë energji nëse nuk paguan qindarkë për qindarkë faturën e saktë që i është dërguar”, tha Lami.

Zoti Dollapi premtoi rikthimin e energjisë elektrike në të gjitha zonat problematike të vendit brenda nje afati kohor prej 2 muajsh.

Javën e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë shqiptare për situatën e fundit të krijuar pas heqjes së liçencës së kompanisë CEZ.

Shefi i misionit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se kjo çështje mund të ketë pasoja për ekonominë shqiptare. 

Top Channel