Ende pa u bërë zyrtare kalimi i Balotelli-t te skuadra e Milanit, italiani i një mijë e një “sherreve” te Manchester City është përshëndetur në një mënyrë të veçantë.
Jo nga tifozët blu të “Citizens”, të cilët është më se e kuptueshme që nuk e kanë pritur mirë, pasi shpresonin te talenti i SuperMarios, pavarësisht trazirave të shkaktuara prej tij gjatë eksperiencës në Premier League, por nga rivalët më të betuar të tyre: pikërisht nga “djajtë e kuq” të Manchester United.
Një tifoz i tyre është fotografuar duke urinuar mbi makinën luksoze të sulmuesit italian, një Bentley “camouflage”, e më pas është shtrirë mbi të. Ende nuk dihet shkaku, se përse e ka bërë diçka të tillë, ndërkohë që dihet se sportdashësit në Angli bëjnë gjithçka brenda stadiumit dhe, kur një ndeshje përfundon, çdo gjë kthehet në një jetë normale jashtë tij, edhe në rastet e tifozerive rivale të të njëjtit qytet.
E si mund ta ketë marrë këtë Balotelli? Ku i dihet, ndoshta një motiv më shumë për “t’u arratisur” një orë e më parë nga Anglia dhe për t’u rikthyer në Itali, aty ku çdo gjë ka marrë fund tashmë dhe të mërkurën priten vizitat mjekësore dhe hedhja e firmës në kontratën deri në 2017.
Top Channel