Tiranë, përplasje për lirimin e banesave

29/01/2013 00:00

Vendimi i Qeverisë për lirimin e banesave të ish-pronarëve vazhdon të
konfliktojë qytetarët me përmbaruesit dhe forcat e policisë.

Një situatë e tillë ndodhi paraditen e së martës në rrugën e Kavajës, ku përmbarimi është paraqitur në ndërtesë pranë Kishës Katolike ‘Zemra e Krishtit’ për të liruar banesën në të cilën banojnë 10 familje.

“Sot na vrau shteti, na vrau drejtësia. Këtu nuk ka as shtet dhe as drejtësi”, thotë një prej banoreve.

Prej vitesh banorët e kësaj ndërtese janë në procese gjyqësore me Kishën katolike ‘Zemra e Krishtit’ e cila thotë se ndërtesa i është dhuruar nga një agjenci imobiliare italiane. Por banorët kundërshtojnë këtë pretendim dhe deklarojnë se përmbarimi nuk ka të drejtë të ekzekutojë vendimin për lirimin e ndërtesës për sa kohë sic shprehen ata gjykata nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për këtë cështje.

Përmes një njoftimi për mediat, Kisha Katolike thotë se ‘në përfundim të të gjithë këtyre konflikteve gjyqësore, kemi të bëjmë me një zbatim të drejtë të ligjit material dhe procedurial pasi po kthehet në vend një e drejtë e mohuar prej shumë vitesh pronarit të saj’. Kisha Katolike, duke u udhëhequr nga parimi i humanizmit dhe ardhjes në ndihmë të atyre që janë në nevojë ju kanë afruar zgjidhje disa prej këtyre familjeve të cilët janë në kushte jo të mira dhe me probleme shëndetësore, por kjo u është refuzuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB