Shefi i trupit koordinues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Zoran Stankoviç, deklaroi se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk do të jetë temë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

”Të drejtat e askujt nuk janë rrezikuar dhe të gjitha tensionet po shkaktohen artificialisht. Ne po përkthejmë librat në gjuhën shqipe, gjithsej 77, po sigurojmë bursa, po organizojmë shkollime gratis të serbishtes”, tha Stankoviç, sipas portalit kosovar “Telegrafi”.

”Tashmë duhet t’i kthehemi projekteve që do t’i kontribuojnë rimëkëmbjes së mëtejme të kësaj zone të vendit dhe kjo do të ndikojë plotësisht në uljen e tensioneve”, shtoi ai.

Sipas zyrtarit serb, në Luginën e Preshevës nuk ka ndërprerje të projekteve, qëllimi i të cilave është përmirësimi i jetës së njerëzve në ato tri komuna.

“Gjatë vitit të kaluar në Preshevë dhe Medvegjë janë investuar 222 milionë dinarë (rreth 20 milionë euro) dhe janë përmbushur të gjitha detyrat e parashtruara. Projektet më të rëndësishme përshijnë ndërtimin e godinës për hapjen e degës së Fakultetit Ekonomik nga Universiteti i Suboticës dhe 100 milionë dinarë investime për rritjen e punësimit”, deklaroi Stankoviç.

Top Channel