Kryeministri grek Andonis Samaras dhe homologu i tij turk Rexhep Taip Erdogan kanë zhvilluar një takim të rastësishëm jozyrtar në kryeqytetin Doha të Katarit, ku të dy udhëheqësit zhvillojnë paralelisht vizita pune.

Sic bëhet e njohur nga mediat greke dhe ato turke, pas këtij takimi, më 5 mars Samaras do të shkojë në Stamboll dhe Ankara, i shoqëruar madje nga gjysma e kabinetit të tij, në kuadrin e këshillit të dytë të bashkëpunimit strategjik Greqi-Turqi, pas atij që ishte bërë në Athinë me kryeministrin e atëhershëm Papandreu.

Burime diplomatike bëjnë me dije se të dy palët i japin një rëndësi të madhe në këto momente marrëdhënieve midis dy vendeve, duke u përpjekur të kapërcejnë shumë pengesa, që ndajnë dy fqinjët ballkanikë.

Erdogan ka kërkuar rishikimin e vendimit të qeverisë Samaras për emërimin e imamëve në Trakë, zona verilindore e Greqisë, ku jeton minoriteti musliman, duke theksuar paralelisht se parlamenti turk ka aprovuar fondin e ndërtimit të një xhamie për muslimanët e Athinës, i vetmi kryeqytet europian pa një kult të këtij besimi.

Samaras, nga ana e tij, i ka shtruar homologut turk çështjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive në detin Egje, për të cilën Athina zyrtare shpejton të deklarojë koordinatat e saj gjeografike, duke ngjallur edhe reagimet kundërshtuese të Ankarasë.

Kufiri detar midis dy vendeve është molla e sherrit, që nuk lejon Greqinë dhe Turqinë të kryejnë kërkime në zonat detare për naftë dhe gaz dhe të shfrytëzojnë pasuritë natyrore, rezervat e të cilave përllogariten në miliarda euro.

Në kuadrin e reformave antikrizë, që po zbaton Greqia, Erdogan, që shoqërohej dhe nga ministri i Jashtëm Davutoglou, ka këshilluar kryeministrin grek të përshpejtojë privatizimin e kompanive shtetërore dhe gjysmë shtetërore, duke shprehur edhe interesin e biznesmenëve turq për blerjen e disa porteve të vogla turistike apo dy fabrikave të duhanit.

Samaras ndodhet në Katar, në një vizitë dyditore, për tërheqje investimesh nga bota arabe, i shoqëruar nga disa ministra të qeverisë si dhe rreth 50 biznesmenë grekë.

Top Channel