Kaljari, test për Zemanin

29/01/2013 00:00

Takimi mes trajnerit Zeman me drejtuesit e Romës është mbyllur pa asnjë surprizë. Bohemit as i është dhënë garanci për të vazhduar punën me Romën, por nga ana tjetër, as është shkarkuar.

Mediat italiane e komentojnë këtë si një tjetër mundësi për Zeman, mundësi që nis që nga sfida e javës së ardhshme të Serisë A, atë ndaj Kaljarit ditën e premte.

Për momentin nuk ka zëra për largimin e tij. Zeman mbetet nën vëzhgim nga drejtuesit, edhe pse në fund të takimit me ta, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë në çdo pikë.

Barazimi 3 me 3 në ndeshjen e së dielës në transfertën e Bolonjas lëkundi pozitat e Zemanit në krye të stolit të Romës. Drejtori Sportiv i verdhekuqëve, Valter Sabatini deklaroi se drejtuesit janë pjesërisht të kënaqur me punën e Zemanit, por shtoi se është e qartë se pritshmëritë janë akoma më të mëdha.

“Puna e Zemanit është e kënaqëshme në disa aspekte, por ka aspekte të tjera që janë më pak pozitive, si përshembull renditja në tabelën e klasifikimit. Prandaj po shqyrtojmë mundësinë që të ndërhyjmë, pse jo edhe duke ndërruar drejtuesit në stol”, tha Sabatini për mediat italiane.

Roma e teknikut bohem renditet e teta në Serinë A, me 34 pikë. Ajo që është vënë re është një skuadër me mjaft grintë, në sulm gjithë kohës dhe që mundohet t’i imponojë kundërshtarit lojën e vet.

Stili “Zeman” ka patur sukses në fazën ofensive dhe kjo dëshmohet edhe nga golat e shënuar, plot 47 që e bëjnë sulmin më të mirë të Serisë A, por “thembra e Akilit” mbetet mbrojtja. Prapavija e Romës ka pësuar plot 38 gola dhe jo të pakta kanë qenë rastet në këtë sezon, kur verdhekuqtë kanë dalë me humbje nga fusha, pavarësisht se kanë shënuar të parët.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta