Fule: Konsensus për 3 ligjet

29/01/2013 22:39

E djathta europiane mbajti konferencën e tretë vjetore mbi Ballkanin Perëndimor.

Një nga folësit kryesor, komisioneri Fule deklaroi se këtë vit po punohet për vendime të rëndësishme për Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërsa për Shqipërinë, Komisioni mund të bëjë raport, nëse vendi shënon progres.

“Tani, eventualisht do të ketë një raport edhe mbi Shqipërinë, nëse palët do të gjejnë një konsensus dhe rrugën për të trajtuar tre çështjet e mbetura, që ne kemi përcaktuar si një minimum kriteresh për t’i rekomanduar shteteve anëtare, që t’i japin Shqipërisë statusin kandidat. Ato 3 çështje janë maja e ajsbergut. Ka patur një numër çështjesh të tjera dhe Shqipëria ka dhënë rezultate në një mënyrë të besueshme. Sa keq do të ishte, nëse ato 3 çështje të mbetura nuk do të trajtoheshin. Sa keq do të ishte, nëse nuk do të kishte as edhe një hapje të vogël ndaj Europës”, tha Stefan Fule, komisioner për zgjerimin në BE.

Në këtë takim partiak, kreu i asamblesë parlamentare të OSBE-së shfaqi qartazi bindjet e tij politike në lidhje me palët në Shqipëri.

“Siç e shihni, dua të jem shumë i qartë. Në muajt e ardhshëm do kemi probleme të mëdha në këtë fushë: zgjedhjet shqiptare. Unë kam qënë në Tiranë, Vlorë, Berat gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. E di, që shumë prej jush do të qeshin tani, por zgjedhjet në Shqipëri ishin më të lira e më të drejta, sesa zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve. Por, ka një zotëri në Tiranë, që quhet Edi Rama dhe është sekretari i Partisë Socialiste, që nuk i njohu këto rezultate, duke krijuar një situatë dramatike përsa i takon marrëdhënieve korrekte shumicë-pakicë në parlament dhe rrezikon që këtë shembull ta përcjellë në gjithë Ballkanin”, tha Riccardo Migliori, kreu i asamblesë parlamentare të OSBE-së.

Megjithëse në program ishte përfshirë prania e kryeministrit Berisha, në takimin, ku tema kryesore ishin zgjerimi dhe bashkëpunimi rajonal, Shqipëria u përfaqësua nga ministrja e Integrimit, Bregu.

“Duhen votuar 2 ligje me 3/5 dhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, që vetë opozita e kërkoi. Duke i mirëpritur të gjitha propozimet e tyre, ne zbuluam vetëm në fillim të shtatorit se, megjithëse vendi ka plotësuar pothuajse të gjitha reformat e konsideruara si tepër sensitive për opozitën, si ligji elektoral apo lënia e imunitetit, në shtator u ballafaquam me votën bllokuese mbi këto ligje. Me sa di unë, demokracia ofron vetëm një zgjidhje, për këtë situatë të krijuar nga bllokimi i një minorance: zgjedhjet. Kështu, ne jemi pranë zgjedhjeve të qershorit dhe ne duhet të arrijmë standardet më të larta ndërkombëtare, edhe pse në 2009 askush nuk tha se zgjedhjet përmbushën standardet ndërkombëtare”, tha Majlinda Bregu, ministre e Integrimit Europian.

Në këtë takim, përveç eurodeputetëve të djathtë të Parlamentit Europian, morën pjesë dhe përfaqësues të kësaj përkatësie politike nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Kroacia.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA