Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se është vënë në dijeni të ndalimit të tre shtetasve shqiptarë në Jemen që më datë 21 janar, e më pas ka nisur interesimin për fatin e tyre.

Tre shtetasit shqiptarë, Arif Bakillari, Nezir Shahaj dhe Mihal Cangonji u ndaluan së bashku me anijen “EOS” në portin e Makallas në Jemen. Anija transportonte 180 ton municione serbe të ngarkuara në portet e Malit të Zi me destinacion Irakun.

Nëpërmjet një komunikate për mediat të Ministrisë së Jashtme, thuhet se Ambasada Shqiptare në Arabinë Saudite është njoftuar nga ambasada jonë në Athinë për ndalimin e 3 shtetasve shqiptarë.

Menjëherë pas këtij mesazhi, ambasada jonë në Arabinë Saudite, thuhet në komunikatë, ka njoftuar Konsullin e Nderit në Jemen, të cilit iu dhanë të gjitha hollësitë për t’u interesuar më tej për fatin e shtetasve shqiptarë të arrestuar.

Pas këtij njoftimi Konsulli i Nderit i RSH në Jemen, Muhamed Al Shaif përmes një note të datës 24 janar 2013, dërguar Ambasadës tonë në Riad, sqaron se ka kontaktuar me autoritetet e guvernantit të provincës Hadramount, ku ndodhet porti i Mukallas dhe ka kërkuar të dhëna për këtë çështje.

Atij i është komunikuar se ekuipazhi shqiptar i anijes “EOS” është ndaluar pasi ngarkesa me municion luftarak që ishte në bordin e anijes shoqërohej me dokumenta të falsifikuara dhe kjo ka çuar në burgosjen e tyre.

Ndërkohë Ministria e Jashtme thotë se po vazhdon të punojë për mbledhjen e gjithë informacioneve të nevojshme lidhur me këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB