“Homeland Justice” hakeron Postën Shqiptare: I kemi të gjitha të dhënat në duart tona Pas ankesave të subjekteve për vjelje të parregullt parash nga ana e agjensive të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me të, Top Channel kontaktoi me drejtorin e Zyrës Shqiptare të të Drejtës së Autorit (ZSHDA), Mujë Buçpapaj, në detyrë prej disa muajsh.
Duke pranuar problematikat e mbartura ndër vite të kesaj zyre, Buçpapa tha se sistemi i mbrojtjes së të drejtave të autorit ka dështuar për shkak të disa agjensive. Ai i ka kërkuar prej muajsh MTKRS pezullimin e licensave të agjensive AKDIE dhe Albautor, dy nga katër agjensitë në total, për shkak se ato nuk kanë dëshmuar gjatë viteve të aktivitetit të tyre, se ku kanë përfunduar paratë që kanë mbledhur. Por nuk ka ende një përgjigje nga kjo ministri.
Ndërkohë bëhet me dije nga kjo zyrë, se agjensia e tretë AMP, ka dy muaj kohë për të vërtetuar shpërndarjen e parave të mbledhura, por ende nuk është vërtetuar lista e emrave të personave që administrohen prej saj dhe kontratat përkatëse me ta.
Ndërsa agjensia FMAA, sipas ZSHDA rezulton të jetë në rregull. Ligji aktual për mbrojtjen e të drejtave të autorit lë hapësira për abuzime, si psh monitorimi që u bëhet subjekteve. Ndryshe nga vendet e huaja, nuk bëhet me anë të teknologjisë së posacme, por me dëshmitarë okularë të vetë agjensive, që hiqen si klientë.
Një tjetër hapësirë që lë vend për abuzim është edhe vendosja e tarifave për përdorimin e veprave artistike nga subjektet publike. Deri më tani, ato vendosen vetëm sipas gjykimit të vetë agjensive. Sipas zotit Buçpapaj, projekt-ligji për të drejtat e autorit, parashikon rregullime. Por ndërkohë…
“Cdo subjekt përmbarues i së drejtës së autorit, ka të drejtë që t’i kërkojë inspekorit jo vetëm licensën, por edhe listën dhe kontratat që ka bërë kjo agjenci me cdo individ. Nëse nuk ua japin, është e qartë se ka abuzim ndaj duhet të drejtohen tek ZSHDA”, thotë Buçpapaj.
Por ankesat që kanë ardhur pranë Top Channel, janë edhe për vetë ZSHDA-në. Kur subjektet nuk rezultojnë të kenë paguar agjënsitë, atëherë kjo zyrë u vendos atyre gjoba. Këtu qendron dhe paradoksi.
“Ndajmë të njëjtin shqetësim me median, me ju dhe me njerëzit që përdorin produktet që janë objekt i së drejtës së autorit”, thotë zoti Buçpapaj.
Juristët: Ligji problematik. Të pezullohen agjensitë dhe ZSHDA
Sipas ekspertëve, problematika e mbrojtjes së të drejtës së autorit dhe të të drejtave të lidhura me të, fillon pikërisht nga ligji, për të vazhduar më pas me indiferencën e strukturave përgjegjëse dhe abuzimin e agjensive.
“Në ndryshim nga rastet e tjera, ligjet e tjera janë të qarta, kurse ky ligj është i paqartë sa i takon mënyrës së zbatimit, monitorimi dhe tarifat, si dhe lë hapësira për abuzime. Mendoj që përshkak se jemi në momentin e miratimit të një ligjit të ri për të drejtën e autorit, të propozohet që të ngrijnë pagesat e gjobave”, thotë avokati Vojo Bregu.
Në mbrojtje të të drejtave të autorit sigurisht, ashtu sikurse bëhet në të gjithë botën, por në Shqipëri mesa duket ende larg mënyrës së duhur për ta zbatuar.
Top Channel