Tre shqiptarë në burgjet e Jemenit

28/01/2013 19:40

Një anije e ngarkuar me municion dhe armë, nisur nga Mali i Zi është kapur në portin e Al Mukallës, në bregdetin e Jemenit. Anija drejtohej nga kapiteni Arif Bakillari, i cili udhëtonte bashkë me oficerin e parë Mihal Cangonji dhe kryemekanikun Nezir Shahaj. Ndërkohë, në bord ndodheshin edhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe një grek.

Anija EOS ndaloi në datën 16 dhjetor të vitit që kaloi në këtë port për furnizim, karburant dhe ushqime dhe në 19 dhjetor të gjashtë marinarët u arrestuan nga policia portuale në Al Mukalla.

Sipas agjencive të lajmeve jemenite, të hënën marinarët kanë dalë para gjykatës në rajonin e Hadramaut në Jemen. Agjencia e lajmeve jemenite ka paraqitur edhe fotot e gjyqit, kapitenin Arif Bakillari kur po bën betimin, duke i dhënë dorën gjykatësit Abdu Ali Aeadi.

Nga grupi i të arrestuarve kapiteni është i vetmi që komunikon në anglisht. I kontaktuar në telefon, Arif Bakillari ka treguar se anija EOS ishte nisur nga Greqia dhe ai mori drejtimin e saj në Durrës, më pas në Malin e Zi u ngarkua sasia e armatimit e kontraktuar.

Agjencitë e lajmeve thonë se armët janë prodhim serb. Anija u nis më 17 korrik të vitit që kaloi dhe në 16 dhjetor ndaloi në portin e Al Mukallës, në Jemen, për furnizim me karburant, ndërsa në bord kishte 180 tonelata armatim dhe eksploziv me destinacion portin e Um Kasrit në Irak.

Sipas jemenitëve, anija humbi rrugën dhe u end nëpër det për 5 muaj e më pas mbërriti në Jemen. Aty kapiteni deklaroi të dhëna kontradiktore për ngarkesën dhe destinacionin dhe mohoi faktin se kishte armatim në kundërshtim me ligjet vendase dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas padisë së ngritur, të akuzuarit kanë shkelur ligjet kombëtare dhe rregullat ndërkombëtare, ku më e rëndësishmja është lundrimi në det me lëndë plasëse dhe municione, pa iu përmbajtur koordinatave të përcaktuara ndërkombëtarisht.

Të mërkuren marinarët do të dalin në një tjetër seancë gjyqësore për verifikimin e ngarkesës. Ndërkohë, kapiteni Arif Bakillari, i kontaktuar në telefon, ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Sipas tij, ngarkesa është e rregullt dhe në disa pjesë të udhëtimit është shoqëruar nga anijet e NATO-s.

Ai mbahet i ndaluar së bashku me 5 marinarët e tjerë. Sipas tij, diplomatët indianë, irakenë dhe grekë janë vënë në lëvizje për fatin e marinarëve, ndërkohë që burime diplomatike në Tiranë thonë se ambasada në Arabinë Saudite po ndjek çështjen edhe nëpërmjet konsullit të nderit në Jemen. Kapiteni ka thënë se gjithçka po ndodh sepse jemenitët duan të mbajnë ngarkesën e destinuar për në Irak.

Top Channel