Një tjetër fitore për filmin “ARGO”, historinë e pengjeve në Iran të drejtuar nga Ben Affleck, i cili ka edhe një rol në të.

Filmi ka triumfuar me çmimin më të rëndësishëm, atë për performancën e përgjithshme të aktorëve, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve prestigjoze  të Aktorëve të Skenës që njihet ndryshe si “Screen Actors Guild Awards”.

Fitorja ka ardhur vetëm një ditë pasi “ARGO” ka rrëmbyer trofeun edhe në çmimet e prodhuesve kinematografikë apo “Producers Guild Awards”. Ata që marrin këtë çmim zakonisht vlerësohen edhe si filmi më i mirë në ceremoninë e ndarjes se Oskarve, çmimeve më të rëndësishme kinematografike në botë. Ceremonia e çmimeve të aktorëve të skenës është një ndër më të ndjekurat gjatë sezonit të çmimeve hollivudiane, pasi aktorët përbëjnë grupin më të madh të votuesve në Akademinë e cila përzgjedh edhe fituesit e Oskarve.

Nëse “ARGO”, që mori para dy javësh dy statuja të arta në “Golden Globes”, do të fitojë si filmi më i mirë edhe në çmimet Oscar, do të jetë kjo vetëm hera e katërt në 85 vjet që një film fiton pa patur edhe një nominim për regjisorin më të mirë. Të tjerë fitues në “Screen Actors Guild Aëard” kanë qenë Daniel Day Lewis, i cili u vlerësua si aktori më i mirë për “Lincoln” dhe 22-vjeçarja Jennifer Lawrence, e cila mori trofeun për rolin kryesor në filmin “Silver Linning Playbook”.

Top Channel