SHBA, legalizimi i emigrantëve

28/01/2013 23:20

Në Shtetet e Bashkuara, një grup senatorësh të njohur, nga të dyja partitë politike, shpallin sot një sërë reformash për sistemin e emigracionit, të cilat u japin mundësi njerëzve, që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, të marrin shtetësinë amerikane, nëse plotësojnë disa kushte.

Propozimi për reformat është hartuar në një dokument pesë faqesh, në fillim të të cilit thuhet se ligjvënësit janë të ndërgjegjshëm, që sistemi amerikan i emigracionit nuk funksionon më.

Dokumenti publikohet në prag të një fjalimi, që Presidenti Obama mban nesër në Las Vegas, ku do të bëjë thirrje për të reformuar sistemin e emigracionit.

Sipas Zërit të Amerikës, propozimi i senatorëve, nga të dyja partitë, parashikon që emigrantët e paligjshëm të regjistrohen pranë autoriteteve, të kalojnë nëpër një kontroll biografik, të paguajnë gjoba dhe taksat e prapambetura dhe të plotësojnë disa hapa të tjera, për të marrë një status të përkohshëm, që do t’i lejonte ata të jetonin dhe punonin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Pastaj ata do të pranoheshin në fund të listës së personave, që kërkojnë Green Card, si banorë të përhershëm dhe të ligjshëm.

Plani bën përjashtim për ata që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë si dhe për punëtorët e bujqësisë, që sipas senatorëve luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin ushqimor të vendit.

Njëkohësisht me këto, parashikohet forcimi i masave të sigurisë në kufi, siç është shtimi i përdorimit të avionëve pa pilot. Propozimi parashikon krijimin e një sistemi të efektshëm, që punëdhënësit të mund të verifikojnë nëse punëtorët janë apo jo të ligjshëm, si dhe të një sistemi për të kontrolluar skadimin e vizave.

Parashtrimi i një plani të tillë, në vetvete, tregon qartë se në radhët e republikanëve ekziston vullneti për kompromis lidhur me atë, që Obama e konsideron një prioritet të mandatit të tij të dytë presidencial.

Megjithatë, nuk munguan zërat kundër hapjes së një rruge drejt statusit ligjir për emigrantët e paligjshëm, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët.

Top Channel