Partia Socialiste organizoi një tryezë ku është analizuar problematika e
dhunës në familje, nga e cila kanë humbur jetën shumë gra.

Në fjalën e tij, kreu opozitës Edi Rama tha se dhuna në familje i ka rrënjët tek ekonomia, varfëria, papunësia, analfabetizmi dhe injoranca e shtuar me të cilën po përballen shqiptarët.

“Faktikisht, në 2011 kishte një numër vrasjesh të grave 19. Cfarë ndodhi në 2012? Nga 19 vrasje, shkuan në 27 vrasje në 2012 dhe madje vrasje të tmerrshme, në disa raste, për nga mënyra e kryerjes së tyre”, tha Rama.

Nga kjo tryeze Rama u ndal edhe në 3 ligjet e integrimit të cilësuar nga Kryeministri Berisha si të bllokuara nga opozita. Sipas Edi Ramës nuk ështe opozita që ia ka mbyllur derën europianeve shqiptarëve, por disa faktorë të tjerë.

“Shqipërisë nuk i mungojnë tre ligje për të hyrë në Europë. Shqipërisë i mungojnë tre pushtete për të hyrë në Europë. I mungon pushteti legjislativ, që është peng i ekzekutivit, i mungon pushteti ekzekutiv që është peng i korrupsionit, i mungon pushteti gjyqësor që është peng i korrupsionit dhe i ekzekutivit”, nënvizoi Rama.

“Ky fakt, që ligji i përmirësuar ndjeshëm në fillim të 2012 për çështjen e dhunës në familje dhe për mbrojtjen e grave nuk sjell asgjë në realitet, flet se problemi ynë themelor në këtë vend nuk është legjislacioni, por është ligjshmëria”, tha më tej kreu i opozitës.

Top Channel