Përdor shtatzënën për të trafikuar drogë

28/01/2013 00:00

Duke shfrytëzuar gruan e tij shtatzënë dhe dy vajzat e vogla, 6 dhe 3
vjeçe, një i dyshuar për trafik droge, ka tentuar të kalojë 22 kg drogë
nëpërmjet kufirit të Shqipërisë për në Itali.

Ngjarja është regjistruar në pikën e Muriqanit, ku 38-vjeçari ka tentuar të mashtrojë policinë, ashtu siç kishte mashtruar edhe familjen e tij, se po shkonte në Milano për të lindur fëmijën e tretë, që gruaja e tij mbante në bark, e cila është në muajin e tetë të shtatzënisë.

Megjithatë, kjo tentativë ka dështuar për Edi Gashin, pasi policët kanë vënë re disa spostime të pjesëve plastike të mjetit, që ai drejtonte dhe transportonte familjen e tij. Dy vajzat e mitura dhe gruaja e tij kanë mbetur të shtangura në momentin e gjetjes së drogës, e cila ishte ndarë në 72 pako.

Policia e Shkodrës bëri të ditur se në pikën kufitare të Muriqanit ka sekuestruar mëngjesin e se dieles 70 pako me lëndë narkotike, e llojit kanabis. Policia sqaron se lënda në fjalë është gjetur në mjetin tip “Mercedes Benz”, me targa AA 135 EH të shtetasit Edi Gashi nga Mamurrasi, i cili edhe është arrestuar. Sipas policisë, ky i fundit ka deklaruar se po udhëtonte drejt Milanos së bashku me bashkëshorten, e cila është në muajin e tetë të shtatzënisë, si dhe me dy vajzat njërën 6 vjeçe dhe tjetrën 3 vjeçe, kur edhe është ndaluar nga policia kufitare. Ka qenë dyshimi i inspektorëve të policisë kufitare, të cilët pasi kanë kryer kontrollin rutinë të dokumentacionit, kanë vijuar me kontrollin ndaj mjetit. Në disa pjesë të tij kanë vërejtur spostime të dyshimta të pjesëve të plastikës. Duke verifikuar këtë problem të makinës, kanë lindur dyshimet edhe për Gashin, i cili ka filluar të justifikojë ikjen në Itali dhe ka kërkuar të largohet sa më shpejt. Madje, ai ka treguar se kishte leje qëndrimi në Itali, kjo ishte edhe arsyeja që do lindte fëmijën e tij në Milano.

Megjithatë, me mjete të specializuara, të cilat janë dhuruar nga homologët e vendeve perëndimore, shërbimet e policisë kanë vërejtur se në pjesë të ndryshme të këtij mjeti ndodheshin pako të dyshimta. Pas kontrollit të imtë janë gjetur 72 pako, që në total kishin 22 kg kanabis. Sipas burimeve policore, 34-vjeçari do të merrte 5 mijë euro për shërbimin e transportit të drogës në momentin e dorëzimit të saj në Milano dhe se detyra e tij ka qenë thjeshtë e korrierit. Gjatë vitit të kaluar, në këtë pikë kalimi kufitar janë sekuestruar rreth 200 kg drogë e llojeve të ndryshme. Ndërsa nga policia kufitare e Shkodrës, nga mesi i kësaj jave janë sekuestruar 1406 kg drogë marijuanë, që kishin destinacion Italinë, si dhe një gomone me dy motorë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA