Në Partinë Demokratike të Kosovës nuk preferojnë të deklarohen nëse janë duke menduar për shkarkimin e sekretarit të kësaj partie, Jakup Krasniqi, nga posti i Kryetarit të Kuvendit.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se tani janë në proçesin e numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Drejtues të partisë dhe është herët të japin qëndrim.

Krasniqi, edhe pse ka bojkotuar punimet e Konventës Zgjedhore, është përfshirë në listën për anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së.

“Në këtë moment nuk mund të themi asgjë, sepse aq sa është i rëndësishëm ai janë të rëndësishëm edhe të gjithë të tjerët. Nëse lëshohemi në nivele të tilla të debatit apo edhe të dhënies së opinioneve, atëherë është shumë herët që të themi, sepse duhet të presim ato rezultate dhe nuk është se pastaj ato do të jenë definitive në kuptimin e vendimeve përfundimtare, që i nxjerrin organet e partisë”, ka thënë Stavileci.

Në Partinë Demokratike të Kosovës ende janë duke vazhduar me numërimin e rreth 720 votave të delegatëve, të cilët mund të zgjidhnin së paku 76 e më së shumti 150 emra për anëtarë të Këshillit dhe brenda dy ditësh pritet të dihen emrat e rinj dhe nëse edhe Krasniqi ka marrë votat e duhura.

Gjatë konferencës për shtyp, Stavileci ka thënë se dy ditët e Konventës Zgjedhore ishin jashtëzakonisht të suksesshme.

“PDK e vlerëson jashtëzakonisht të suksesshme dhe demokratike Konventën e 6-të Zgjedhore, e cila edhe një herë vulosi faktin se jemi partia më e organizuar dhe më e strukturuar, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por në tërë rajonin. Nuk ishte vetëm një konventë e unitetit politik brenda partisë, por edhe e unitetit të të gjitha partive politike shqiptare dhe të tjera”, ka vijuar Stavileci.

Zëdhënësi i është kundërpërgjigjur edhe deklaratës së sekretarit të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili e ka krahasuar konventën e PDK-së me atë të shteteve komuniste, siç është Koreja e Veriut. Stavileci ka thënë se, LDK duhet të kujtojë “kuvendin e karrikeve”, kur delegatët e saj ishin përfshirë në përleshje.

Gjatë së hënës, PDK ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë përgëzuar liderin e PDK-së Hashim Thaçi pas rizgjedhjes së tij dhe mbajtjen e Konventës Zgjedhore.

Top Channel