Mandatet, përfundimisht në Kuvend

28/01/2013 00:00

Mandatet e deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit përfundimisht do të
ndahen nga Kuvendi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi mundësinë e
fundit për ta rrimarrë kompetencën e kësaj detyre, me rrëzimin e
kërkesës së dy anëtarëve të këtij institucioni për ta rishqyrtuar
çështjen.

“Do të doja të ma sqaronit publikisht se përse nuk e futët ne rendin e ditës kërkesën tonë? Jeni absolutisht në shkelje të ligjit, që po bëhet ditën për diell”, tha nënkryetari Denar Biba.

“Ne e kemi ezauruar si procedurë. Procedura sipas Kodit Zgjedhor, i ka kaluar Parlamentit. KQZ-ja nuk ka më tagrin për t’u rikthyer dhe për të marrë edhe njëherë në diskutim mandatet. Nëse ju do të kishit probleme në lidhje me vendimin e KQZ-së Kolegji Zgjedhor ishte aty. Ju duhet të ishit drejtuar aty”, u shpreh kryetarja Lefterie Lleshi.

Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjoçaj risolli në vëmendje pasojën që do te ketë procesi zgjedhor nga mosndarja e mandateve.

“Këtu kemi pikëpyetje shumë të madhe, kemi pikëpyetje zgjedhjet e 2013 dhe marrja e kompetencës nga Kuvendi në çdo arsyetim, sikur t’i kthehet variantit të KQZ-së ose sikur të marrë variantin e 2009 është e paligjshme, i bën zgjedhjet nul, ne e dimë këtë gjë. Përse ta vemë në pikëpyetje procesin e 2013?” u shpreh Gjocaj

“Shkaku për të cilën nuk u caktuan mandatet janë anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste dhe jo nga anëtarët, të cilët votuan pro dhe kështu që përgjegjësinë e zgjedhjeve, mbajeni ju nëqoftëse ato shkojnë jo në drejtimin e duhur”, tha Lleshi.

Pas shumë debatesh mbledhja u mbyll pa e shqyrtuar kërkesën, ndërsa përfaqesuesit e opozitës akuzuan kryetaren e KQZ-së se po dhunon haptas ligjin, i cili i jepte të drejtë KQZ-së, sipas tyre, të bënte ndarjen e mandateve deri në daten shtatë mars, duke sjellë në kujtesë edhe precedentin e vitit 2009, ku ky proces është kryer në ditën e fundit të afatit ligjor.

“Ne kemi sot përballë një vendimmarrje të Kuvendit, e cila po hyn në ujëra antikushtetuese. Ishte absolutisht e theksojmë me bindje këtë, në kompetencën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, t’i zbardhte faqet Kuvendit duke marrë një vendim sot. Ne si anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të bëjmë më shumë”, tha Biba.

Ne keto kushte debati pritet te transferohet ne Kuvend, atje ku tashme Komisoni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar lenien ne fuqi te projeksionit te mandateve sipas vitit 2009, e kundeshtuar nga opozita si projekt qe nuk garanton nenin kushtetues te barazise se votes.

Top Channel