
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në 11 shkurt shqyrtimin e ankimimit të
Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të
Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave “Për
disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit
2013”.
Shtyrja e seancës u bë për shkak se mungonin përfaqësuesit e qeverisë. Në kërkesën e deputetëve të PD-së thuhet se qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.
“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës”, thuhet në ankimimin e PD-së.
Pas këtij vendimi ka reaguar deputeti i PD, Eduard Halimi që e ka cilësuar këtë si një turp për qeverinë shqiptare e cila sipas tij me këto veprime tregon se është e paaftë për t’u përballur me të vërtetat në gjykatën kushtetuese, ndaj e refuzoi atë.
Top Channel