Kosovë, vritet nxënësi në Mitrovicë

28/01/2013 00:00

Një nxënës kosovar është vrarë paraditen e së martës në një shkollë të
Mitrovicës, pasi është goditur për vdekje me thikë nga një
bashkëmoshatar.

Sipas raportimeve të së përditshmes “Express”, 13-vjeçari ishte nxënës i shkollës së mesme teknike “Arkitekt Sinani” dhe dyshohet që autori i krimit të jetë i të njëjtit institucion shkollor.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë lokale, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se autori i krimit është arrestuar, por motivet e veprimit të tij janë ende të panjohura.

Kjo është vrasja e dytë që ndodh brenda një muaji në shkollat e Kosovës. Më herët gjatë muajit, një vrasje e ngjashme ndodhi në oborrin e shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë.

Ndërkohë, vrasja e sotme është dënuar nga Ministria e Arsimit, e cila e ka konsideruar krimin si një ngjarje të rëndë e të papranueshme në ambjentet shkollore.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja i ka shprehur ngushëllimet familjes së 13-vjeçarit, teksa ka apeluar për një bashkëpunim më të madh mes shoqërisë dhe institucioneve për eleminimin e fenomeneve të tilla nga shkollat.

“MASHT është duke punuar vazhdimisht përmes strategjive dhe aktiviteteve të ndryshme për parandalimin e dhunës në shkolla, por gjithësesi kontributi i të gjithë aktorëve të tjerë është i domosdoshëm në mënyrë që të kemi shkolla të sigurta për fëmijët tanë”, ka thënë Buja.

Top Channel