
Barazimi 3 me 3 në ndeshjen e së dielës në transfertën e Bolonjas ka lëkundur pozitat e Zemanit në krye të stolit të Romës.
Drejtori Sportiv i verdhekuqëve, Valter Sabatini deklaroi se drejtuesit janë pjesërisht të kënaqur me punën e Zemanit, por shtoi se është e qartë se pritshmëritë janë akoma më të mëdha.
“Puna e Zemanit është e kënaqëshme në disa aspekte, por ka aspekte të tjera që janë më pak pozitive, si përshembull renditja në tabelën e klasifikimit. Prandaj po shqyrtojmë mundësinë që të ndërhyjmë, pse jo edhe duke ndërruar drejtuesit në stol”, tha Sabatini për mediat italiane.
Roma e teknikut bohem renditet e teta në Serinë A, me 34 pikë. Ajo që është vënë re është një skuadër me mjaft grintë, në sulm gjithë kohës dhe që mundohet t’i imponojë kundërshtarit lojën e vet.
Stili “Zeman” ka patur sukses në fazën ofensive dhe kjo dëshmohet edhe nga golat e shënuar, plot 47 që e bëjnë sulmin më të mirë të Serisë A, por “thembra e Akilit” mbetet mbrojtja. Prapavija e Romës ka pësuar plot 38 gola dhe jo të pakta kanë qenë rastet në këtë sezon, kur verdhekuqtë kanë dalë me humbje nga fusha, pavarësisht se kanë shënuar të parët.
Top Channel